Partizani nuk di të ndalet. Kukësi mund Kamzën

Dita e sotme mund të cilësohet fare mirë si e ekipeve të transfertës në Superiore. Kukësi dhe Partizani kanë marrë fitoret e radhës në kampionat, duke konsoliduar pozitat e tyre ër një vend në zonën europiane.

Verilindorët fituan minimalish 0-1 në transfertë ndaj Kamzës. Në mungesë të Gurit, ndeshjen e vendos një gol i shënuar nga Kale. Braziliani, brenda zonës, merr një top nga e djathta dhe gjuan saktë tokazi, duke mposhtur Avdylin. Kamza reagoi mjaft mirë duke pasur disa mundësi shumë të mira shënimi, teksa Fukui goditi traversën në fundin e pjesës së parë. Në të dytën ishte Raçiç që goditi shtyllën.

Partizani ndërkohë nuk di të ndalet, pasi ka fituar 3-0 ndaj Laçit në transfertë. Ekipi i Klevis Dalipit vijon momentin fantastik gjatë këtij sezoni, duke marrë suksesin e tretë radhazi. Të kuqtë zhbllokuan rezultatin vetëm në minutën e 50-të me Lukas Kardozon. 5 minuta nga fundi i kohës së rregullt, Abdurahimi shënoi golin e dytë, ndërkohë që Gerhard Progni vulos gjithçka me një gjuajtje të bukur nga e djathta, duke shënuar golin e tretë.