Parandalohet tragjedia në Tiranë

Një konflikt pronësie mes dy vëllezërve në Baldushk të Tiranës mund të ishte kthyer në tragjedi, nëse Policia e Tiranës nuk do të kishte ndërhyrë në kohë.

Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur ditën e djeshme në mëngjes në fshatin Baldushk, ku 36-vjeçari i identifikuar si Shkëlqim Suloavdulaj (Luli) ka kanosur me armë pistoletë vëllanë e tij, 48-vjeçarin, L. Luli. Ngjarja, sipas Policisë së Tiranës, ka ndodhur pas një konflikti të hershëm pronësie mes dy vëllezërve. Vëllai i kanosur, ka njoftuar menjëherë Policinë për ngjarjen dhe në Baldushk kanë mbërritur forcat e Komisariatit nr. 1 të Tiranës.

Ata kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Shkëlqim Suloavdulaj dhe më pas kanë sekuestruar edhe armën e zjarrit, pistoletë dhe 6 fishekë. Gjatë kontrollit në banesë, u gjetën edhe 18 fishekë të tjerë. Tashmë, Shkëlqim Suloavdulaj akuzohet për “kanosje” dhe “armëmbajtje pa leje”. “Ndërhyrja në kohë e Policisë, parandaloi përshkallë- zimin e një konflikti me armë.

Arrestohet autori i ngjarjes. Shërbimet e Policisë të Komisariatit nr. 1, pas informacionit të marrë për një konflikt midis dy shtetasve, organizuan punën dhe falë reagimit të shpejtë dhe profesional bënë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit: Shkëlqim Suloavdulaj (Luli), 36 vjeç, banues në fshatin Baldushk. Në fshatin Baldushk shtetasi i mësipërm dyshohet se për motive pronësie është konfliktuar dhe ka kanosur me armë zjarri vëllanë e tij, shtetasin L.L., 48 vjeç.

Grupi hetimor në vendngjarje ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale: Një armë zjarri tip pistoletë së bashku me një krehër me 6 (gjashtë) fishekë. Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesë, iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale dhe 18 fishekë luftarakë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, dhe “Kanosja”, parashikuar nga nenet 278 dhe 84 të Kodit Penal”, shkruan njoftimi i Policisë së Tiranës.

KONFLIKTI I HERSHEM

Burime pranë grupit hetimor thonë për gazetën se konflikti mes dy vëllezërve është i hershëm, për një tokë të lënë trashëgim nga babai. Më i vogli i vëllezërve nuk është i kënaqur me mënyrën sesi është ndarë trualli dhe ka pasur konflikte të shpeshta me vëllanë e tij, i cili banon aty pranë.