Opozitarët Në Vorë Në Shenjë Mosbindje Nuk Paguajnë Kafet Tek Hoteli I Kastratit

Ashtu sic ishte paralajmëruar opozita bllokoi për disa orë në Vorë aksin rrugor që lidh Tiranën me Durrësin.

Shtabi i Protestave pranë PD në fillim propozoi bllokimin e mbikalimit te ish-Casa Italia por kjo ide nuk gjeti miratim pasi kjo do të thoshte edhe bllokim të automjeteve që shkonin në Kamzës dhe deputeti Gent Strazimirit shpjegoi me argumente bindëse ky nuk ishte momenti i duhur për tu marrë me kryebashkiakun Xhelal Mziu.

Në fjalimin me video-selfie kryetari Basha theksoi se bllokimi i rrugëve është simbol i protestës ndaj Kryeministrit i cili vjedhjen e ka bërë rrugë dhe se opozita është e vendosur ti shkojë deri në fund deri në dorëheqjen e Ramës.

Basha garantoi se me ardhjen e PD në pushtet, Rruga e Kombit jo vetëm që nuk do të ketë kurrë taksë kalimi por brenda mandatit të parë të qeverisë Basha, rruga do të pranohet edhe në UNESKO.

Pas mbylljes me sukses të protestës me ndihmën e asistentëve të tij Basha ka kaluar trafikndarësen dhe ka ftuar të pjesëmarrësit të shkojnë për kafe tek Hotel Continental.

Një nga protestuesit i tha Bashës se hoteli i përket armikut të popullit kuksian, Kastratit që është edhe koncensionari i mbledhjes së taksës së Rrugës së Kombit por Basha deklaroi se pikërisht aty “në gojë të ujkut do hedhim valle”.

Basha duke rrufitur makjaton e tij me qumësht të ftohtë me një sheqer theksoi se kishte marrë përgëzime direkte nga vetë lideri historik i protestave vetë Sali Berisha i cili kishte dhënë porosi të vecantë që për asnjë cast të mos ulet vigjilenca opozitare ndaj mosbindjes civile.

Në gllënjkën e fundit Basha thirri kamarierin dhe i deklaroi se në emër të mosbindjes civile asnjë kafe nuk do paguhej dhe ti bënte të fala pronarit.

Disa protestues u shprehën se ta kishin ditur do kishin porositur edhe birra por Basha i siguroi personalisht se do të kishte edhe protesta të tjera në ditët e ardhshme në të tjera resorte dmth akse rrugore.