Nis rindërtimi i molit te Liqeni i Tiranës

Investimet e kryera e kanë kthyer Parkun e Madh të Liqenit Artificial në destinacionin më të preferuar për qytetarët e Tiranës, jo vetëm për të kaluar kohën e lirë por edhe për të zhvilluar aktivitete të ndryshme sportive.

Por një kërkesë e vazhdueshme e tyre ka qenë edhe krijimi i mundësisë për të aksesuar vet liqenin nëpërmjet varkave dhe lojërave të tjera ujore.

Ndaj Bashkia e Tiranës me mbështetjen edhe të Kryqit të Kuq Shqiptar ka nisur punën për realizimin e një tjetër investimi të rëndësishëm dhe që ka të bëj me rikualifikimin e molit të liqenit.

Siç shihet edhe nga fotot e projektit, moli ekzistues do ti nënshtrohet një rikonstruksionit total, ku veç shkallëve do të bëhet dhe ndërtimi nga e para e gjithë molit. Për të qenë i aksesueshëm edhe në orët e mbrëmjes, ai do të pajiset edhe me sistem ndriçimi, ndërsa nuk do të mungojë as gjelbërimi.

Në foto shihen edhe disa shezlongë ku qytetarët do të mund të bëjnë banjo dielli.

“Nisëm punën për rikualifikimin e Molit te Diga në Parkun e Madh. Me Kryqin e Kuq Shqiptar shërojmë një tjetër kënd, një vepër e mirë dedikuar themeluesit Henry Dunant, Nobelisti i parë, frymëzues i Konventës së Gjenevës. Respekt misionarit pionier, edhe në Tiranë, siç i ka hije çdo kryeqyteti!”, shkruan APR lidhur me këtë projekt.