Ndërkombëtarët e cilësojnë “simbol të korrupsionit”/ Reagon i tronditur Ilir Meta: Faktet janë deformuar

Pas raportit të Freedom House, që mes të tjerash nënvizon se “Lufta kundër korrupsionit mori gjithashtu një goditje me zgjedhjen e Ilir Metës si President i Republikës më 28 prill”, vjen reagimi i fortë i Presidencës.

Reagimi i Presidencës:

Në përgjigje të interesimit të mediave lidhur me raportin e fundit të Freedom House zëdhënësi i Presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi u shpreh:

Keqardhje për keqpërdorimin e këtij raporti të Freedom House në funksion të axhendave të njëanshme politike në vendin tonë.

Zgjedhja e Presidentit Meta është realizuar në një proces tërësisht kushtetues dhe demokratik me një shumicë mbi 3/5-at të votave dhe në një moment kyç për stabilitetin e vendit dhe zgjidhjen e krizës politike parazgjedhore.

Në mënyrë të sforcuar dhe të njëanshme ky raport, jo vetëm deformon këto të vërteta, por në mënyrë spekulative dhe të qëllimshme kërkon të krijojë fokuse artificiale.

Në se Freedom House është i interesuar vërtet të hedhë dritë mbi korrupsionin në Shqipëri, duhet të hetojë në mënyrë të paanshme kush ka ndikuar dhe porositur këto deformime të fakteve dhe të të vërtetave në këtë raport dhe jemi të bindur se aty do të zbulojë simbolet konkrete të korrupsionit kombëtar dhe ndërkombëtar.

Për këtë qëllim jemi të hapur të bashkëpunojmë edhe me Freedom House.

Çfarë thotë raporti për Metën

“Lufta kundër korrupsionit mori gjithashtu një goditje me zgjedhjen e Ilir Metës si President i Republikës më 28 prill, presidenca e të cilit u bë e mundur nga votat e Partisë Socialiste. Në vitin 2011, Rama vetë e kishte cilësuar Ilir Metën si simbol të gjithçkaje që ishte e kalbur në politikën shqiptare, një vlerësim që e ka edhe një pjesë e madhe e elektoratit shqiptar”.

Përparimi i bërë në vitin 2017 për të ulur korrupsionin në nivele të ulta, thuhet në raportin e Freedom House, u zbeh nga humbja e terrenit në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta dhe kapjes së shtetit.