Ministri serb kërcënon Haradinajn: Të arrestojmë nëse vjen në Preshevë

Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Nebojsha Stefanoviç, ka deklaruar se kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj do të arrestohet nëse vjen në Preshevë, pasi sipas tij, fletë arresti i gjykatës serbe për të është ende në fuqi.

Paralajmërimi i Beogradit vjen si masë reciproke ndaj arrestimit nga ‘ROSU’ në Mitrovicë të shefit zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriç muajin e kaluar.

“Në fuqi është fletë arresti i gjykatës sonë për të dhe gjithsesi do të arrestohet po qe i qasshëm për policinë”, ka thënë Stefanoviç për gazetën serbe “Kurir”. Haradinaj më herët ka thënë se është i gatshëm të vizitojë Preshevën e Medvegjën me ftesë të autoriteteve lokale duke shtuar se nuk do të lëvizë ilegalisht por me leje të autoriteteve serbe.

Fletë arresti për kryeministrin Haradinaj dhe Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, të cilët Serbia i ka shpallur në kërkim, pavarësisht se emrat e tyre nuk ndodhen në Interpol. Por sipas ministrit serb Stefanoviç, Haradinaj dhe Thaçi janë në bazën e Interpolit, por nuk janë të dukshëm.

Kjo gazetë serbe kujton edhe deklaratën e presidentit Thaçi në vitin 2015, atëherë ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës, se do vizitonte Beogradin. Gjithashtu, edhe atëherë Stefanoviç kishte paralajmëruar arrestimin e tij. Thaçi në fund e anuloi pjesëmarrjen në takimin ku kishte planifikuar të merrte pjesë.