Ministri grek provokon keq, e quan Erdoganin ‘të çmendur’ dhe paralajmëron konflikt në Egje

Duke ngritur retorikën e ashpër në një tjetër nivel, ministri i Mbrojtjes greke, Panos Kammenos tha të hënën se presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan “është çmendur fare”.

Këto deklarata ministri grek i bëri duke folur për gazetarët jashtë Parlamentit në Athinë i pyetur rreth fatit të dy ushtarëve grekë të arrestuar në Turqi dhe provokimeve të Ankarasë në Egje.

Rreth kësaj, Kammenos tha se nuk ka linja komunikimi me Erdoganin, shkruan media greke “Kathimerini“.

“Ne po flasim për Erdoganin, i cili del dhe fyen publikisht SHBA dhe [kryeministrin izraelit Benjamin] Netanyahu”, tha ai duke shtuar se “Turqia nuk ka gjykata ndërsa sistemi i saj i drejtësisë funksionon nën urdhrat e sulltanit [Erdogan]”.

Të dy ushtarët, tha ai, mund të mbaheshin aty për 15 vjet, në këto rrethana.

“Nuk mund t’i përgjigjesh një të çmenduri”, tha ai, duke iu referuar udhëheqësit turk.

Ai gjithashtu shprehu shqetësimin se një incident mund të ndodhë në Egje.

“Ata mund të dëshirojnë ta provokojnë këtë, por duhet të dini se ushtria turke është në një gjendje të tmerrshme në këtë moment”, tha ai, duke shtuar se Greqia “është gati”.

Kamenos vuri në dukje se nëse Turqia shkel sovranitetin kombëtar grek, atëherë “ne do të përgjigjemi siç duhet”.