Luftë me flakët në Kashar, digjet fabrika e riciklimit

TIRANË-Një fabrikë riciklimi mbetjesh në Kashar është përfshirë nga flakët paraditen e sotme. Zjarri vijon prej orës 10:00 në magazinën e fabrikës ‘Everest’, ndërsa janë dëgjuar edhe disa shpërthime të vogla brenda godinës.

Në vendngjarje janë policia, 10 zjarrfikëse nga Tirana dhe Durrësi dhe forcat e Ushtrisë duke punuar për fikjen e zjarrit. Nuk është vlerësuar një ndërhyrje nga ajri, pasi mund të rrezikohet helikopteri. Shumë pranë ndodhet edhe një tjetër godinë e biznesit, ajo e duraluminit, e cila rrezikon që të përfshihet nga flakët, por për momentin nuk ka rrezik.

Në momentin e zjarrit brenda në fabrikë ka pasur punëtorë, të cilët kanë dalë me shpejtësi. Nga zjarri nuk ka të lënduar në njerëz, por vetëm dëme të shumta materiale, pasi magazina është e shkrumbuar plotësisht. Shtullungat e tymit janë aq të mëdha sa janë përhapur në të gjithë kryeqytetin.

Shtullungat e tymit nga zjarri
Në të gjithë zonën është bllokuar qarkullimi dhe është stakuar energjia elektrike. Ende nuk ka një informacion të saktë se kush kanë qenë shkaqet e zjarrit, ndërsa mësohet se edhe para një viti ky biznes është djegur. Gjithashtu biznesi është gjobitur për mos marrjen e masave kundër zjarrit. Drejtori i Zjarrfikëses deklaroi se nuk është njoftuar nga biznesi për zjarrin, por nga qytetarët për zjarrin.