LSI po sillet si parti e kapur

Nga Andi Bushati

Monika Kryemadhi ka përsëritur brenda pak javëve të njëjtin qëndrim, të padenjë për një opozitare, kur i është dashur të përgjigjet për Erion Velinë. Në “5 pyetje nga Babaramo” ajo i ka qarë hallin kreut aktual të bashkisë se Rama po kërkon t’ia fusë, se ai nuk e duron dot suksesin e “lalit” në Tiranë, se ai nuk do e kandidojë më për postin aq të lakmuar në krye të bashkisë më të pasur të vendit.

Çdo dëgjues opozitar që do të refuzonte t’i interpretonte këto deklarata si diversione banale të denja për politikën e fillim viteve ’90, me siguri që do t’i bënte pyetjen vetes: po ç‘farë e keqeje n’a gjen nëse Veliaj largohet?

A do të ishte një humbje e madhe për kryeqytetasit nëse njeriu që akuzohet se manipuloi dosjen e vdekjes së Ardit Gjokalajt, njeriu që ka dorë direkt në mbylljen e emisioneve investigative, njeriu që ka blerë pjesën më të madhe të mediave vendase, njeriu që ka dhënë 200 leje ndërtimi ndërkohë kur dihet se çfarë premtoi, njeriu që i ka vjedhur këshilltarët edhe vetë LSI-së, nuk do të kishte një mandat të dytë?

Së paku opozitarët nuk duhet të kishin dilema për këtë.

Por, Monika Kryemadhi e bëri dhe kjo nuk është një rastësi. Fakti se ajo i’u shmang pyetjes për mbajtjen me hatër që LSI po i bën Veliajt, nuk ka të bëjë as me amatorizëm politik, as me provokime të rëndomta brenda shumicës.

Sepse kjo nuk është “gafa’ e parë e kryetares së përtisë së Ilir Metës. Edhe në “Real Story” të Sokol Ballës, ajo u shpreh se kalemendej 50% me 50% për të mbështetur një kandidim të ri të Veliajt në Tiranë. Menjëherë pas saj, në të njëjtin emision u shfaq dhe kryebashkiaku i cili s’gjeti përgjigje më të mirë për të dhënë sesa të thotë me të drejtë: “medoni sa vlerë ka puna ime, sa edhe opozita është e gatshme të më mbështesë”.

Dhe pas gjithë kësaj shfaqeje gjithësejcili ka të drejtën të pyesë: pse po luhet ky teatër? Ç‘farë na intereson më shumë, kulisat që Rama apo Veliaj kurdisin ndaj njëri – tjetrit, apo një qëndrim konseguent dhe parimor ndaj të dyve? Çfarë i volit më tepër publikut, një diversion vulgar për të krijuar të çara mes tyre, apo denoncimi i të vërtetës lakuriq?  Si bëhet më e besueshme një opozitë: duke n’a treguar shembujt se Rama dhe Veliaj duhen ndëshkuar po njësoj (tek shkatërrimi i Tiranës, tek prishja e teatrit, tek stadiumi me kullë, tek lejet për grataçelat, tek lehtësimi fiskal për disa klientë të të dyve, tek inceneratorët e djegjes së plehrave), apo duke i fryrë fabulës së shpikur të rivalitetit mes tyre?

Natyrisht edhe në LSI e kanë përgjigjen për këto dilema. Edhe aty e dinë se një opozitë reale, e besueshme dhe e vërtetë fiton më shumë pikë sesa ajo që përpiqet të luajë në kulisa.

Por, flirtimi i turpshëm me Erion Velinë, i përsëritur nga Kryemadhi, është rasti më flagrant që ngre dyshime për për sinqeritetin opozitar të partisë së saj. Ky ambiguitet i turpshëm tregon dy gjëra: ose se pavarësisht çizmeve, fjalorit dhe përbetimeve për djegjen e shtëpisë së Surrelit, ajo nuk beson tek një opozitë ballore, ose, në të kundërt, ajo ka ende nostalgji për kohën e tepsisë dhe për këtë arsye vazhdon të koketojë me segmente të rëndësishme të qeverisjes.(Lapsi.al)