LSI drejt greminës, ikin 2 këshilltarë në Memaliaj

Lëvizja Socialiste për Integrim vijon të përballet me eksodin masiv të këshilltarëve të saj drejt Partisë Socialiste. Ditën e sotme, dy këshilltarë të LSI në Këshillin Bashkiak të Memaliajt kanë braktisur partinë e tyre, duke u pozicionuar në krah të PS.

Janë larguar nga LSI këshilltarët Luan Halili dhe Yllka Çaushi. Me këtë lëvizje, sërish PS nuk bën shumicën në këtë këshill, pasi shkon në 9 këshilltarë, ndërkohë që LSI është e dyta me 5, e ndjekur nga PD me 2. Gjithashtu, janë edhe 1 këshilltarë nga PDIU, 1 nga BK e FRD, 1 nga PSD, 1 nga UK dhe 1 nga PDS. Këshilli Bashkiak i Memaliajt ka 21 këshilltarë.

Kjo është bashkia e radhës, ku këshilltarët e LSI lënë partinë e tyre, duke iu bashkuar PS, pasi një hemorragji e tillë ka ndodhur në shumë bashki të vendit. Shkak për eksodin e këshilltarëve të LSI u bë skandali i lobimit rus për PD, si dhe një bashkim i mundshëm i dy partive opozitare.