Krim i rëndë në Shkodër, burri vret bashkëshorten me çekiç

Një ngjarje e rëndë ka tronditur gjatë natës qytetin e Shkodrës, ku burri ka vrarë bashkëjetuesen e tij, duke e goditur me çekiç në kokë. Mësoi se krimi ka ndodhur në familjen Teli, ku 69-vjeçari Bashkim Teli i ka marrë jetën gruas së tij.

Viktimë ka mbetur 58-vjeçarja S. Sh, e cila ishte gruaja e dytë e Bashkim Telit, pasi ishte ndarë më parë, për arsye të panjohura. Krimi ka ndodhur në lagjen ‘Parrucë, ku policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje, duke arrestuar autorin.

Burimet thanë se çifti i bashkëshortëve kishin konflikte prej disa kohësh, ndërsa mbrëmjen e kaluar pas një debatin mes tyre ka ndodhur vrasja. Policia vijon hetimet për zbardhjen e shkaqeve të cilat e çuan autorin në ndërmarrjen e këtij veprimi.

Njoftimi i policisë:

Nga Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në D. V. P Shkodër, u bë arrestimi i shtetasit: Bashkim Teli, 69 vjeç, banues në Shkodër.

Ky shtetas mbrëmjen e djeshme në lagjen “Qemal Stafa”, në banesën e tij, për motive të dobëta ka goditur, disa herë në kokë me sende të forta (çekiç), bashkëjetuesen e tij shtetasen S.Sh., 58 vjeçe, e cila për pasojë ka gjetur vdekjen.

Në cilësinë e provës materiale policia ka bërë sekuestrimin e sendit me të cilin autori ka qelluar viktimën. Materialet hetimore do t’i kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, parashikuar nga neni 79/c i Kodit Penal.