Ishin nisur për ekskursion, 5 persona bllokohen në Malin e Tomorit

Pesë persona të cilët ishin nisur për ekskursion, kanë mbetur të bllokuar për disa orë në lartësitë e Malit të Tomorit, në Berat. Ata kanë qenë duke udhëtuar me një automjet të cilit i është çarë goma gjatë udhëtimit dhe kjo ka bërë që për disa orë të mbesin të bllokuar, ndërsa rrezikonin të kalonin natën në qiell të hapur.

Ministria e Mbrojtjes reagoi për ngjarjen duke deklaruar se pas një telefonate për ndihmë, një helikopter i Forcave të Armatosura u nis menjëherë për t’u ardhur në ndihmë. Ka qenë pikërisht helikopteri i FA i cili ka evakuuar nga Mali i Tomorit të gjithë ekskursionistët, ku siç mësohet asnjë prej tyre nuk ka pasur probleme shëndetësore.

Ata janë sjellë me helikopterin e Ushtrisë në Tiranë. Pesë personat e bllokuar janë ekskursionistë shqiptarë, të gjithë nga kryeqyteti, të cilët ishin nisur drejt Tomorit për të kaluar fundjavën.

Mali i Tomorit, me lartësi 2416 m, është destinacion i vizitorëve gjatë pranverës dhe verës për shkak të bukurive natyrore që ofron, por edhe një sfidë për alpinistët dhe eksploratorët e natyrës të cilët preferojnë ngjitjet përmes majave të thepisura shkëmbore.