Elisa Spiropali replikon me Berishën, për makinën 150 mijë euro: Mos u merr me sajesat e tët biri, frika është këshilltari më i keq

Sali Berisha ka postuar një foto montazh për deputeten socialiste Elisa Spiropali, të cilën e akuzon se ka blerë një makinë 150 mijë euro.

Kjo e fundit i ka bërë një koment pikërisht tek foto që ka postuar Berisha, ku shkruan:

“O doktor, ti e di më mirë se kushdo se kjo është një shpifje nga fillimi në fund, e tëra dhe e bëra, e sajuar në fabrikat e llumit me emrin portale të financuara nga yt bir me paratë e fituara me aq mund gjatë qeverisjes tënde të lavdishme.

Ja ku po ta them dhe shko verifikoje ku të duash me të gjitha mjetet që ka në dorë një fuks i vjetër si ty: unë nuk kam patur, nuk kam dhe nuk do kem kurrë një pronë me atë vlerë.

Po ti doktor?! Po familja jote?! Dihet botërisht se je gënjeshtar i madh! Ka mbetur shqiptar që nuk di cilën të ta besojë, atë që thua tani apo atë që do thuash pastaj?! Aq gënjeshtar sa je, a mund të ndodhë mesazhit tim t’i përgjigjesh?! Jo! Ky është një tjetër problem shumë i madh të të shkruash mesazh ty. Një letër që dihet se nuk do marrë përgjigje, as nuk shkruhet!

Tjetra, nuk ke të ndalur në rrugën e karagjozllëkut. Ti për shembull, në tërë xhestet e tua prej karagjozi, nuk lë rast të të iki pa lënë të kuptohet se je “Lider Historik” demek nga ata që bëjnë punë të mëdha që mbeten me shekuj!

Nuk je lider fare, e jo më historik. Për arsyen e thjeshtë dhe të qartë se, përveç llafeve të gënjeshtërta pa fund, nuk ke asnjë bilanc punësh të kryera. Ngule në tru; Nuk ke për të mbetur në Histori! Vërtet Historia nuk është ndonjë shkencë e saktë, por edhe aq e pasaktë sa të pranojë një shpifës serial, nuk është!

Sistemi yt piramidal qeverisës, piramida gjigande autoritare në majë të së cilës rrije vet, dhe qindrat e piramidave despotike butaforike brenda së madhes, ishin turpi ynë kombëtar. Nga brenda këtyre piramidave të turpshme, ti dhe të tutë, vetëm vidhnit dhe vetëm poshtëronit, vetëm pengonit dhe vetëm ngadalësonit, dhe asgjë tjetër s’bënit.

Ja një ilustrim: kjo foto që më ke nxjerrë këtu në rubrikën e fletërrufeve është shkrepur kur isha 23 vjeç. Organizoja minatorët e Bulqizës që vdisnin në miniera me dhjetra në nje muaj. Nuk i prite asnjëherë doktor! Edhe pse të erdhën te dera.

Edhe pse kontrata koncesionare nuk u respektua kurrë. Edhe pse burokratët e ty i vidhnin paturpësisht dhe barbarisht. Kusuret e tyre, dhe plot thagma të tjera nuk i largon dot nga ndërgjegjia me shpifje trashanike.

E fundit, frika është këshilltari më i keq. Mos e ndiq! Fati i secilit nuk është fatalitet, përcaktohet nga rruga e zgjedhur me vetëdije. Rrugën tënde e ke mbyllur. Do rrojmë e do shohim në cilën derë të ka sjellë”.(TemA)