EKSKLUZIVE/ Zbardhet vendimi i Gjykatës që i bën nul zgjedhjet në FSHF

Nëpërmjet një vendimi, që mban datën 28 mars 2018, dëshmohet qartë se Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë nuk e ka regjistruar Asamblenë zgjedhore të FSHF-së, në të cilën u mandatua për herë të pesë si president Armand Duka.

Gjykata vendosi kthimin pas të kërkesës së Federatës Shqiptare të Futbollit për regjistrimin e Asamblesë së Fundit Zgjedhore.

Në arsyetimin e saj Gjykata vëren, se FSHF-ja nuk kishte paraqitur një dokumentacion të plotë me dokumenta zyrtare, kryesisht lidhur me regjistrimin e delegatëve dhe shoqatave të reja pjesmarrëse në zgjedhjet e Asamblesë.

Gjykata ia ka ngarkuar gjithashtu shpenzimet gjyqësore FSHF-së, e cila kundër këtij vendimi, mund të apelohet brenda 5 ditëve, në Gjykatën e Apelit.
Pra FSHF ka afat deri sot për t’u ankuar.

Vetë FSHF, ishte munduar ta minimizonte vendimin e Gjykatës pak kohë më parë, kur u shpreh se ishte vetëm një çështje procedurale për plotësim dokumentacioni dhe jo një vendim që vinte në pikëpyetje legjitimitetin e zgjedhjeve.

Por në fakt, nga zbardhja e vendimit, shihet qartë se ai e trondit nga themelet futbollin shqiptar, duke hapur rrugën e përsëritjes së mundshme të zgjedhjeve.

Por në fakt, nga zbardhja e vendimit, shihet qartë se ai e trondit nga themelet futbollin shqiptar, duke hapur rrugën e përsëritjes së mundshme të zgjedhjeve.

Kanë qenë shoqatat fantazmë, ato të cilat e kanë bërë të pamundur për Gjykatën që t’i regjistronte zgjedhjet në fjalë.

Bëhet fjalë për plot 12 shoqata të paregjistruara në gjykatë, të cilat me votën e tyre ndikuan në mënyrë përcaktuese në rizgjedhjen e Armand Dukës.

Ky vendim i Gjykatës vjen në një moment kur futbolli shqiptar është përfshirë edhe në skandalin e basteve të ekipit të Skënderbeut, që u përjashtua 10 vjet nga veprimtaritë evropiane nga UEFA.

Duka, ka qenë një ndër sponsorët zyrtarë të Skënderbeut, edhe pse një gjë e tillë përbën një konflikt të hapur interesi.

Pak kohë më parë, në një rast të ngjashëm si zgjedhja e Dukës me shoqatat fantazëm, një gjykatë në Kroaci i hoqi mandatin presidentit të federatës kroate të futbollit Davor Suker.

Pasi të shihet nëse FSHF dhe Duka do ta apelojnë apo jo vendimin e Gjykatës në Tiranë, në rast se ky vendim mbetet në fuqi, do të shihet gjithashtu nëse Prokuroria do të nisë apo jo një hetim për veprën penale të falsifikimit me shoqatat fantazmë.