Eduard Selami ja përplas Bashës në fytyrë: Janë tre humbje rrjesht dhe s’ke bërë analizë, statuti më i keq që ka pasur PD (shpërthen salla)

Ish kryetari i Partisë Demokratike Eduard Selami ka “shpërthyer” ndaj kryedemokratit Lulzim Basha duke e konsideruar si një lider që ka gënjyer demokratët.

Gjatë fjalës së tij Selami tha se problemi i PD është demokracia brenda partisë.

Duke iu drejtuar kryetarit të PD, ndër të tjera Selami tha se Basha ka humbur 2 zgjedhje rresht dhe nuk ka bërë asnjë analizë.

Më tej Selami iu rikthye edhe garës me Bashën korrikun e kaluar për kryetarin e PD dhe akuzoi se u vodhën votat.

“Edhe në momentet më të vështira kur jemi ndarë me njeri-tjetrin, gjithmonë na kanë bashkuar vlerat e përbashkëta.

Ne u bëmë shpresa e të rinjve shqiptarë dhe për të thënë të vërtetën nuk ka krenari më të madhe për ne. PD ishte atëherë promotore e integrimit.

Ka një përputhje që kur PD ka qenë parti e vlerave, Shqipëria ka ecur përpara.

PD nuk ka pasur problem statuti. Nga 1995 ka problem me demokracinë e brendshme, ka problem me respektimin e statutit, jo me statutin.

Në dhamë disa premtime të cilat nuk gjenden në projekt statut. Premtimi që ju dhatë që pas asaj fushate pas humbjes, do bënim një analizë të thellë. Janë tre humbje rresht. Që nga 1995 kemi një rekord shumë të keq, jemi 50%, 2 herë më pak në pushtet se PS-ja. Sepse nuk kemi vepruar si PD. Fatkeqësisht akoma po nxitojmë.

Ky është statuti më i keq që ka pasur PD. U premtua që do votojnë anëtarët se kush do i përfaqësojë në këshillat bashkiakë, por kjo nuk është e vërtetë pasi ajo do të jetë propozim nga kryetari dhe më pas do votojë anëtarësia.

Në zgjedhjet për kryetarin e PD i pamë në video si vidheshin votat. Vidheshin votat në shtëpinë tonë” , tha Selami. (TemA)