Donald Lu: Jam gati të mbledh monedhat e mia për fëmijët shqiptarë

Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve Romë, Ambasadori i Amerikës, Donald Lu është shprehur se Shqipëria nuk po bën aq sa duhet për të mbështetur fëmijët romë.

Duke i bërë thirrje qeverisë për zgjidhjen e këtij problemi, nënvizoi se është gati që të mbledhë të ardhurat e tij për të mbështetur fëmijët e Shqipërisë pasi është e drejta e tyre të shkollohen e të mbrohen nga abuzimet.

Donald Lu: “Jam shumë krenar për fëmijët e mi sepse kursyen monedha për 3 vite dhe dhuruan qindra dollarë për një OJQ që mbështeste fëmijët në rrugë për të shkuar në shkollë dhe për të zhvilluar aftësitë që një ditë të mund të largoheshin nga rruga. 

E ndaj me këtë histori me ju sepse Shqipëria për shumë vite ka pasur një problem, një problem për të mbështetur fëmijët e saj në rrugë. Ky është një problem që Shqipëria me mbështetjen e partnerëve duhet të jetë e aftë ta zgjidhë. Nuk keni 11 milionë fëmijë për tu kujdesur keni disa qindra. 

Ndërkohë që Shqipëria normalizohet dhe ekonomia e saj përmirësohet , vendi vazhdon ti afrohet anëtarësimit në BE shpresojmë që Shqipëria të mund të kujtojë fëmijët e saj. Ata kanë të drejtë të shkojnë në shkollë, kanë të drejtë të mos jenë të uritur, të mbrohen nga abuzimi. 

Siç më mësuan fëmijët e mi, jam gati të mbledh monedhat e mia për të mbështetur UNICEF dhe OJQ shqiptare për të mbështetur fëmijët e Shqipërisë . Shpresoj që  do ta bëjmë bashkë këtë.”