Cila është merita e Bashës dhe Kryemadhit në hapjen e negociatave ?

Nga Artur Ajazi
Ashtu siç ishte paralajmëruar, shefja për politikë të Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, ka dorëzuar ditën e martë progres-raportit e KE për hapjen e negociatave të anëtarësimit, duke shtuar paketën e zgjerimit të BE edhe me 7 vende.

Mësohet se ambasadorja e BE, Romana Vlahutin, ka bërë publike raportin gjatë takimit të saj me kryeministrin Rama, duke u shprehur se “sot shqiptarët kanë arsye të gëzohen”.

Kryediplomatja e BE-së nga ana e saj, do të ketë takime edhe me Presidentin e Republikës Ilir Meta dhe kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Duket se më në fund Edi Rama e ka përmbyllur me sukses edhe hapin e rradhës si “detyrë shtëpie” përsa i përket procesit të reformave në organet e drejtësisë, duke detyruar strukturat e BE të japin pa asnjë mëdyshje, rekomandimin pozitiv dhe të pakushtëzuar për hapjen e negociatave për Shqipërinë, në rrugëtimin e saj të fundit drejt anëtarësimit përfundimtar në familjen e madhe europiane.

Hapja e negociatave padyshim mbetet arritje e madhe dhe e rëndësishme, mbetet një premtim i mbajtur i kësaj qeverie, personalisht e kryeministrit Rama, por edhe kontribut i qeverive të shkuara.

Hapja e negociatave ishte veçanarisht një premtim i mbajtur i kësaj shumice qeverisëse, por edhe një dështim publik i opozitës që kurrë nuk ka bërë dhe nuk do të bëjë opozitë, deri ditën që në krye të saj të jenë dyshja dështake Basha-Kryemadhi.

Merita e kësaj qeverie mbetet padyshim tek vendosmëria e nisjes, kryerjes dhe vazhdimësisë së reformave në organet më të përfolura të drejtësisë, tek verifikimi dhe përjashtimi i çdo gjqytari dhe prokurori që është pasuruar dhe është bërë milioner me para të pista, me vendime të paligjshme, duke nxjerrë nga burgu kriminelë dhe të korruptuar.

Hapja e negociatave padyshim mbetet një premtim i mbajtur i Edi Ramës dhe i çdo politikani dhe shqiptari që në gjithë këto vite, ka shprehur vullnetin e mirë, dhe kontribuar në të mirë të vendit, duke rritur besimin e ndërkombëtarëve.

Të vetmit që kanë nxjerrë vrerin e tyre në kancelaritë europiane dhe në takime rastësore apo ato të paracaktuara, dhe që vazhdojnë të nxijnë me shpifje imazhin e vendit, janë Monika dhe Lulzimi.

Janë ata, që pushteti u është bërë ëndërr e parealizueshme, për shkak se nuk mund të bindin shqiptarët për asgjë, sepse janë të akuzuar dhe denoncuar si “sheikë” të politikës.

Me fytyrë të vrerosur, Lulzim Basha ka deklaruar nga Berlini se “qëndrimi ynë si PD, është skeptik ndaj negociatave, ndaj detyra që shtrohet për të bindur komisionin, është e vështirë për ne”.

A thua se hapja e tyre, ishte në dorë të tij. Në një raportim në fb, kryetari i PD është detyruar të shprehet se “ problemet mund të luftohen më efektivisht me hapjen e negociatave, dhe jo me mos hapjen e tyre, dhe që opozita është e bashkuar në thirrjen e saj për të kërkuar hapjen e negociatave edhe si një mjet shtesë presioni dhe monitorimi për të intensifikuar luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

Duket qartë se Lulzim Basha nuk e ka dashur dhe nuk e donte hapjen e negociatave , pasi ai kurrë nuk duhej të kishte përkrahur vandalët e Kukësit, pasi ai kurrë nuk duhej të kishte përkrahur prokurorët dhe gjyqtarët e akuzuar dhe denoncuar si të korruptuar dhe inkriminuar, pasi ai kurrë nuk duhej të kishte përdorur dhe përkrahur aktet e dhunës në sallën e Parlamentit, pasi ai kurrë nuk duhej të kishte përkrahur çizmen e Monika Kryemadhit dhe fjalorin e saj banal ndaj kryeministrit, ambasadorëve Lu dhe Vllahutin, apo dhe emrave të njohur të politikës dhe inteligjencës shqiptare.

Merita e Lulzimit dhe Monikës në arritjen e madhe të hapjes së negociatave, është zero.

E vetmja “meritë” e tyre është dhe do të mbetet nxirja e imazhit të vendit kur udhëtojnë “me para borxh” në avionë luksi, apo kur rastisin dhe takojnë ndonjë politikan rradikal në kancelaritë e Europës.

E vetmja “meritë” e Lulit dhe Monës, mbetet lënia e vendit pa opozitë, dhe katandisja e dy forcave të tyre politike respektive në “kioskaparti” ku gatuhen veç skenare të dështuara për fatet dhe imazhin e vendit, madje edhe në pragun e një pritshmërie të madhe siç është hapja e negociatave.

Lulzimi dhe Monika, kurrë nuk do të mund të pengojnë rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE, pasi ata kurrë nuk do të kenë fatin të marrin ndonjëherë pushtet me vota të lira nga shqiptarët.

Kjo sepse ata kurrë nuk do të votohen nga shumica e shqiptarëve, pa u vetëpastruar (pa kryer catharsis) nga mëkatet dhe akuzat, që burojnë nga vitet e gjata të pushtetit tuaj.

Merita në fakt është edhe e shqiptarëve të thjeshtë, e atyre që sakrifikojnë çdo ditë jetën, pronën, familjen, vendin e punës, por që kurrë nuk shajnë dhe mallëkojnë para të huajve vatanin e tyre.