Champions League/ Super Salah, Liverpul me një këmbë në finale

Liverpuli është me një këmbë në finalen e Champions League pas fitores përballë Romës me rezultatin 5-2 në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Champions League që u zhvillua në Angli. Edhe pse do të udhëtojë javën tjetër në Itali me një rezultat të mirë, Liverpuli i frikësohet asaj që i ndodhi Barcelonës, por Romës i duhet që të bëjë një tjetër mrekulli.

Liverpuli e nisi mjaft mirë ndeshjen duke shënuar dy gola në pjesën e parë me Salah, ish-romanist. Në pjesën e dytë të besuarit e Klop shënuan edhe tre gola të tjerë me autorë Roberto Firmino dy herë dhe Mane.

Atëherë kur të gjithë menduan se kapitulli u mbyll, Roma u zgjua duke shënuar dy gola dhe rihapur gjithçka. Golat për Romën u shënuan nga Dzeko dhe Diego Perotti me penallti në katër minuta. Në minutat e mbetura të pjesës së dytë, Roma tentoi sërish që të ngushtonte diferencën, megjithatë fjalën e fundit do ta thotë pas një jave në shtëpi…