Bie Partia Demokratike/ Basha themelon “Partinë Monokratike”

Sot në mbrëmje në mbledhjen e Këshillit kombëtar, Lulzim Basha, me një akt të paprecedentë politik, duke përdorur votimin e hapur si Gramoz Ruçi në Kuvend ka rrëzuar Partinë Demokratike dhe ka shpallur partinë e tij “Monokratike”.

Basha së pari ka rrëzuar me votim analizën e humbjes së zgjedhjeve, me një veprim që s’ka ndodhur kurrë në historinë e PD. Mirë apo keq, analiza zhvillohej dhe në fund ajo diskutohej. Kurse sot Basha e rrëzoi analizën, dhe PD e Lulzim Bashës, për herë të parë në 27 viteve të PD, për shkak të një votimi të hapur dhe krejtësisht pa kuorum rrëzoi analizën, për të gjetur problematikat, shkaqet e humbjes dhe për të shkuar drejt një procesi riorganizimi.

Së dyti, Lulzim Basha me votim të hapur rrëzoi fjalën e lirë. Sot Basha dhe ata që po i shërbejnë në aktin e fundit të ndarjes dhe shpartallimit të Partisë Demokratike, me një votim qesharak vulosën heqjen e fjalës së lirë në PD, duke regjistruar kështu një tjetër të paprecedentë dhe të turpshëm në historinë e PD, nën drejtimin e Lulzim Bashës.

Sot me dy aktet e tij politike, pra duke rrëzuar analizën dhe duke hequr fjalën e lirë me votim të hapur, Lulzim Basha rrënoi përfundimisht Partinë Demokratike dhe shpalli themelimin e partisë së tij “Monokratike”, ku me ndryshimet e reja Statutore ka paralajmëruar humbjet dhe dështimet e njëpasnjëshme dhe vetëm sulltanin e partisë, duke ia kaluar edhe ortakut të tij politik Edi Rama. Lulzim Basha me partinë e tij “Monokratike”, vazhdon të ecë më tej në hapin e marrëveshjes së 18 majit duke çuar PD-në drejt një ndarjeje dhe duke i siguruar Edi Ramës, pushtetin dhe duke vazhduar të ëndërrojë, se së shpejti do të jetë pjesë e qeverisë, duke shitur dhe tradhtuar çdo moral dhe ideal të opozitës.

Nga sot nuk kemi më Parti Demokratike, por “Partinë Monokratike” të Lulit.