Basha jep besën para demokratëve: Nuk ja dolëm dot të qeverisnim por i lutem Zotit që një ditë ta bëj Shqipërinë si gjithë Evropa

Kryedemokrati Lulzim Basha ka kërkuar ndjesë për gabimet e tij politike duke siguruar se do vijojë që të luftojë për të qeverisur vendin.

Ai ka renditur një sërë akuzash ndaj qeverisë “Rama” duke garantuar se do ta rrëzojë dhe do të qeverisë për ta bërë Shqipërinë si gjithë Evropa.

“Sot në këtë sallë, dhe si në cdo vend tjetër anembanë Shqipërisë, mblidhemi në një orë kritike për të sotmen dhe të nesërmen e vendit tonë.

Dhe le t’i themi gjërat troç. Të gjithë e dimë se punët shkojnë keq, se shoqëria është e shpartalluar, se ekonomia është katastrofë dhe se politika i ka zhgënjyer njerëzit.

Shqipëria nuk do t’i harrojë lehtë këto vite. Ajo nuk do ta harrojë se shpëtimi i saj nuk është thjesht punë partie.

Shpëtimi i saj është shqetësimi dhe detyra për të gjithë ne këtu.

Ne sot mblidhemi nën hijen e një qeverie e cila e ka shkatërruar ekonominë, ka shkatërruar sistemin tonë arsimor, ka zhdukur konkurrencën e lirë, ka vjedhur taksat dhe paratë publike, ka rrënuar shëndetësinë, ka plackitur qytetarin për të pasuruar oligarkun, ka demoralizuar brezin e ri, ka mbushur vendin me drogë, ka futur kriminelët në zyrat e shtetit, ka shkretuar Shqipërinë duke detyruar qindra e mijëra familje shqiptare të marrin rrugën e mërgimit.

Kjo qeveri ka kaluar pushtetin në duart e bandave dhe të oligarkëve, ka braktisur njerëzit, ka kthyer vendin përmbys me reformën territoriale e cila vetëm qytetatëve nuk ju shërbën.
Ne sot kemi një qeveri që ngriti sistemin më të sofistikuar të shitblerjes së votës, një qeveri që vuri kriminelët në krye të shtabeve elektorale.

Por ne nuk duhet të biem në rehati nga justifikimet. Ne duhet të gjejmë guximin dhe ta pranojmë: PO, ata kanë dështuar – por edhe ne nuk ja dolëm”, tha Basha.