Basha ‘buzë greminës’, audit Rrugës së Kombit për vjedhjen e 230 milionë eurove

Mazhoranca ka vendosur që të zbardhë një herë e mirë aferën me Rrugën Durrës-Kukës. Bashkë me abuzimet që u bënë në marrëveshjen me CEZ, këto dy ngjarje mund të cilësohen si vjedhja e shekullit. Kreu i PD, Lulzim Basha, ishte ministër Transporti në atë kohë dhe arriti t’i shpëtojë drejtësisë. Deri më sot ka pasur shumë thirrje nga qytetarët dhe vetë deputetë të PS që kjo aferë të zbardhet, por si nga drejtësia ashtu dhe nga mazhoranca nuk pati asnjë lëvizje.

Shumë shpejt Ministria e Energjisë dhe Transportit në bashkëpunim me Ministrinë e Financave do të nisin një audit sa i takon ndërtimit të të gjithë rrugës Durrës-Kukës. Burime të sigurta në selinë rozë konfirmojnë për “Sot”, se pasi shpërtheu debati për vendosjen e tarifës, deputetët kanë shtuar presionet ndaj kryeministrit që të hetohet një herë e mirë abuzimi që është bërë në këtë rrugë.

Më këmbëngulës ka qenë deputeti Erjon Braçe, i cili ka deklaruar se nëse qeveria nuk bën asnjë kallëzim penal, do të jetë ai personalisht që do i drejtohet prokurorisë. Ahmetaj dhe Gjiknuri janë duke punuar për të ngritur një grup auditi, i cili do të verifikojë të gjitha procedurat që ka ndjekur qeveria “Berisha” në ndërtimin e këtij aksi, i cili ka shkaktuar shumë debate ditët e fundit.

Procedura do të jetë e njëjtë si me atë që u bë për rrugën Tiranë-Elbasan, ku shkuan për ndjekje penale disa zyrtarë të LSI. Por nëse ndodh për aksin Durrës-Kukës, atëherë aty vjedhja është shumë herë më e madhe dhe të akuzuar kanë qenë ish-ministri i Transportit Lulzim Basha, si dhe zyrtarë të Ministrisë së Financave, e cila drejtohej nga Ridvan Bode në atë kohë. Ishte Kontrolli i Lartë i Shtetit ai i cili zbuloi shumë shkelje dhe kjo solli një hetim ndaj Lulzim Bashës, por ato u pushuan për shkak të skadimit të aftit të procedurave. Por nëse do të kemi një kallëzim të ri për këtë çështje, atëherë kreu i opozitës mund të mos ketë të njëjtin fat.

Abuzimet

Sipas raportit të KLSH, në rrugën Durrës-Kukës u vodhën 230 milionë euro. Në atë kohë Kontrolli i Lartë i Shtetit theksonte se vjedhja e parave është bërë me fatura fiktive, me rritje të kostove vetëm në letër, me tatimin mbi të ardhurat, me pagesa për punë të pakryera. Sipas dosjes dhe raportit të KLSH që në fillim të këtij projekti, janë vënë në dukje shkeljet, por gjithçka kaloi në qeveri ku vendosi Berisha politikisht.

Ndërkaq, kontrata e përpiluar dhe më pas e nënshkruar nga Lulzim Basha dhe ish-drejtori juridik, Andi Toma, me përfaqësuesit e shoqërisë “Bechtel & Enka” është bërë në bazë të ligjeve angleze dhe jo atyre shqiptare.

“Tatimi mbi të ardhurat me vlerën 460 mijë euro është bërë në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi. Ndërsa 184,213 milionë lekë është vlera e rritjes së volumit të punës në kontratat e lidhura me 5 kontraktorë në segmentin Kalimash-Morinë. Rreth 116,687 milionë lekë është vlera e likuiduar për punë të pakryer në segmentin Kalimash-Morinë, duke qenë një shifër fiktive që tregon për një dëm ekonomik ndaj buxhetit të shtetit.

Gjithashtu është konstatuar edhe një shumë prej 45,878 milionë lekësh dëm ekonomik, si rezultat i hartimit të kërkesave diskriminuese për kualifikim në tenderin e zhvilluar për ndërtimin e lotit të tretë të segmentit Kalimash-Morinë dhe 9,693 milionë lekë të tjerë dëm ekonomik, për shkak të skualifikimit të padrejtë të një oferte me vlerë më të ulët. Të gjitha këto kapin shifrën e 461,779 milionë lekëve dëm ekonomik nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, shkaktuar vetëm për ndërtimin e segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash-Morinë”, thuhet në raport. Pamfleti