AKTUALITETTjetër skandal nga “Mother Jones”/ Lobime ruse dhe nga LSI-ja

Pasi zbërtheu skemën e financimit të Partisë Demokratike të Shqipërisë për të lobuar në SHBA, revista prestigjioze investigative amerikane “Mother Jones”, nëpërmjet disa rusëve të lidhur me Vladimir Putinin, kësaj here vjen me një investigim që ngre të njëjtat dyshime të lidhjeve mes rusëve dhe shqiptarëve edhe për sa i takon LSI-së dhe Ilir Metës.

Shkrimi i Mother Jones:

Vitin e kaluar, Howard “Buck” McKeon, një ish-kongresmen republikan i cili ksihte drejtuar Komitetin e Shërbimit Ushtarak në Dhomën e kongresit, u punësua për të lobuar për një parti politike shqiptare e cila kërkonte akses te administrata Trump dhe kongresmenët republikanë. Por pjesa kryesore e punës së firmës së tij u financua nga një kompani qipriote nafte e quajtur Dorelita Limited. Subjekti në fjalë ishte krijuar nga një avokat qipriot i cili është i specializuar në krijimin e kompanive off-shore dhe që ka lidhje me kompanitë e lidhura me një oligark të rëndësishëm rus. Edhe tani kjo kompani nafte kontrollohet, të paktën sipas dokumentave, nga një avokat me banim në Athinë i cili në të kaluarën ka qenë një miliarder i përfolur grek. Burimi i parave që vërshuan nga Dorelita te McKeon Group, dyqani i lobimit i McKeon i krijuar më 2015 pasi ai u largua nga Kongresi, mbetet i errët.

Pagesa ngre pyetje se kush pagoi për lotimin në SHBA në emër të një partie të vogël shqiptare, që është partia e tretë dhe që quhet Lëvizja Socialiste për Integrim (e njohur në shqip me shkurtimin LSI) përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar. Marrëveshja misterioze jep një tjetër shembull të interesave të errët që përdorin kompanitë offshore për të depërtuar në sistemin politik amerikan në përpjekje që ky i fundit të ndikojë te politikat në Ballkan. Muajin e kaluar, Mother Jones raportoi se Nicolas Muzin, një ish-ndihmës i senatorit Ted Cruz i cili kishte punuar gjithashtu edhe për fushatën e Trump, ishte paguar nga një kompani skoceze nafte q kishte lidhje me disa shtetas rusë për të lobuar për Partinë konservatore shqiptare të opozitës (Lexo: Partinë Demokratike të Shqipërisë).

“Një marrëdhënie e mirë dhe shumë speciale”

Në janar 2017, McKeon Group nënshkroi një kontratë prej 15,000 dollarësh në muaj me LSI-në, partinë e tretë politike në Shqipëri, që të lobonte në emër të saj në Uashington dhe të promovonte kreun e saj Ilir Meta, i cili asokohe ishte kryetari i parlamentit të Shqipërisë. Asokohe, Shqipëria, një vend me shumicë myslimane me 2.9 milionë banorë, që është në kufi me Greqinë, Maqedoninë, Kosovën dhe Malin e Zi, po kandidonte për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, të cilat zhvilloheshin përkatësisht në prill dhe qershor 2017.

Meta është një politikan prej shumë kohësh, i cili ka qenë kryeministër i Shqipërisë që nga viti 1999 deri në vitin 2002. Ai u çlirua në mënyrë të dyshimtë në vitin 2012 nga akuzat për ryshfete, që rridhnin nga një video që tregoi se po diskutonte marrëveshje, me sa duket në kushte korrupsioni, me një ish-ministër tjetër. Meta “perceptohet nga shumë qytetarë si një simbol i korrupsionit”, sipas një raporti të kohëve të fundit nga Freedom House, një organizatë jofitimprurëse e bazuar në Uashington.

Burimi tha se qëllimi primar i kontratës së Dorelitas ishte që Meta të fitonte “qasje” për tek Presidenti Trump, në formën e një takimi apo një fotografie me të.

Kontrata e McKeon me LSI kishte si objekt që firma e tij të mundësonte që Meta të merrte pjesë në inaugurimin e Donald Trumpit dhe të organizonte takime me “liderët kryesorë të Konservatorëve” gjatë festimeve inauguruese. Pas betimit të Trumpit, sipas kontratës, firma lobuese duhej të ndihmonte “të krijonte një marrëdhënie të mirë dhe shumë të veçantë me administratën dhe Kongresin e ri”. Kontrata nuk ishte nënshkruar nga zyrtarët e LSI, por nga një i njohir i një prej anëtarëve të partisë: një avokat me bazë në Athinë i quajtur Iraklis Fidetzis.

Në mes të janarit, Meta udhëtoi për në Uashington për të marrë pjesë në inaugurimin e Trumpit dhe, gjatë qëndrimit të tij, McKeon ndërmjetësoi takime për politikanë shqiptarë me republikanët, duke përfshirë senatorët Orrin Hatch (Republikan-Shteti Utah) dhe Pat Roberts (Republikan-Kansas) dhe Mike Conaëay (R-Texas), Mike Turner (R-Ohio), dhe Ed Royce (R-Kaliforni), kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës.

Uashingtoni është plot lobistë që përfaqësojnë regjime dhe interesa të huaja. Pra, nuk ishte e çuditshme që LSI të përpiqej të gjejente përkrahës në Uashington. Vitin e kaluar, tri partitë kryesore të Shqipërisë secila kanë përdorur lobistë për të krijuar lidhje me Uashngtonin politik. Por ajo që është kurioze është çka ndodhi pasi Grupi McKeon njoftoi në shkurt 2017 se kishte përfunduar kontratën e tij të lobimit me LSI.

“Ja pse përdoren kompanitë guacka”

Doli që Dorelita ishte një kompani guackë që dukej se kishte një qëllim: të siguronte pagesë për lobimin e McKeon në favor të LSI-së. Firma u krijua në vitin 2013 nga një avokat grek me emrin Andreas Petrou. Ai drejton një zyrë ligjore në kryeqytetin qipriot të Nikosisë, që krijon dhe administron kompani guacka. Firma deklaron se rreth një e treta e klientëve të saj janë rusë dhe ofron edhe një numër të veçantë telefoni për ata që flasin rusisht. Sipas statistikave të bizneseve ruse dhe qipriote, firma e Petrout ishte e përfshirë në kompani me bazë në Qipro që janë të lidhura me Oleg Deripaskën, magnatin e aluminit rus, marrëdhëniet e të cilit të biznesit me kryetarin e akuzuar të fushatës së Trumpit, Paul Manafort, e kanë përfshirë edhe atë në skandalin Trump-Rusi .

Dy biznese të lidhura me Deripaskan kishin selinë në të njëjtën adresë me firmën ligjore të Petrout: EN + Corporate Services Limited dhe ACL Aluminium Constructions Limited, në të cilat, sipas regjistrave të biznesit të Qipros, Petrou ishte drejtor. Regjistrimet e bizneseve ruse tregojnë se Petrou ishte gjithashtu i lidhur me katër biznese të tjera ruse, që ishin pjesë e perandorisë së aluminit të Deripaskës. Pak më parë, këtë muaj, Deripaska dhe disa kompani që ai kontrollon u bllokuan nga Departamenti i Thesarit.

Pasi Mother Jones i dërgoi grupit Rusal të aluminit me bazë në Moskë, në pronësi të Deripaskës, një listë pyetjesh rreth lidhjeve të oligarkut me Petroun, kompania u përgjigj me email se “akuzat janë të rreme, pa baza dhe shpifëse” dhe kërcënoi me veprim ligjor. Por një zëdhënës konfirmoi më pas se firma ligjore e Petrout ishte marrë me qira nga një prej kompanive të Deripaskës për të ofruar shërbime biznesi dhe sekretarie. Deripaska për vite me rradhë e ka përdorur Qipron – ndër vendet e tjera parajsa fiskale – si një bazë për disa nga bizneset e tij. Zëdhënësi mohoi çdo lidhje midis Dorelitas dhe Deripaskas dhe tha se oligarku nuk kishte interesa biznesi në Shqipëri.

Mother Jones dërgoi një gazetar në zyrën e Petrout në Qipro, ku një tabelë me pllaka prej bronzi tregonte emrat e rreth 40 kompanive, që duket se janë regjistruar në të njëjtën adresë. Petrou, për të cilin një asistent tha se nuk ishte i pranishëm, më vonë u përgjigj nëpërmjet postës elektronike. Ai tha se ka kryer “shërbime të caktuara” për të dy subjektet e lidhura me Deripaskan. Kjo do të thotë se bizneset e paguanin atë për të shërbyer si një përfaqësues në letër, si drejtues ose si aksioner. Marrëveshje të tilla mund të shërbejnë për të maskuar pronarët e vërtetë të një kompanie. Petrou tha se po i jepte fund marrëdhënieve të firmës së tij me bizneset e Deripaskës për shkak të sanksioneve të fundit të vendosura mbi oligarkun dhe firmat e tij nga qeveria amerikane.

“Emri Dorelita u refuzua disa herë nga klientët, sepse, siç më thanë, ai dukej si emri i një balerine të klubve meksikane të natës”.

Me sa duket, ai gjeti një blerës. Më 22 shkurt 2017, ai ia shiti Dorelitan Iakovos Taliadoros, drejtor menaxhues i një firme kontabël me bazë në Nikozia, për 1.000 euro. Petrou tha se nuk kishte lidhje me Dorelitan pas kësaj “dhe prandaj nuk ka dijeni lidhur me strukturën dhe pronësinë e kompanisë dhe aktivitetet e saj”. Taliadoros refuzoi t’u përgjigjet pyetjeve rreth Dorelitas.

Menjëherë pasi Dorelita ndryshoi pronarw, Iraklis Fidetzis, pwr tw cilin Taliadoros konfirmoi se është klienti i tij, u emërua drejtor i kompanisë. Sipas firmës ligjore Papakonstantinou & Partners, me bazë në Athinë, ku Fidetzis shërben si kwshilltar, ai wshtw i specializuar në “çështje financiare dhe investime” dhe ka “përvojë të gjerë dhe të gjatë ndërkombëtare” në këto fusha.

Fidetzis, i cili nuk iu përgjigj pyetjeve, ka punuar si këshilltar i Dimitris Kontominas, një miliarder grek dhe pronar i një stacioni televiziv, i cili u akuzua në vitin 2016 pwr evazion fiskal dhe pastrim parash. Kontominas është akuzuar pwr disa krime të dyshuara financiare gjatë karrierës së tij, por pa u dwnuar. Një ish-zyrtar maqedonas i Inteligjencës tha në një deklaratw të vitit 2014 të marrë nga Komisioni Amerikan i Letrave me Vlerë se Fidetzis ishte i pranishëm në një takim të vitit 2005, kur Kontominas dyshohet se kishte marrë përsipër ryshfetin e kryeministrit maqedonas dhe zyrtarëve të tjerë, në emër të një kompanie telekomunikacioni të quajtur Magyar Telekom. Rryshfetet mendohet se u paguan përmes kompanive guackw qipriote të kontrolluara nga Kontominas. Komisioni e hetoi çwshtjen për shkak se kompania e telekomunikacionit ishte në pronësi të Deutsche Telekom, qw kuotohej në Bursën e Nju Jorkut. Deutsche Telekom dhe Magyar Telekom kanë paguar një gjobw tw pwrbashkwt prej 95 milionë dollarësh në vitin 2011 pasi kishin shkelur Aktin e Praktikave të Huaja Korruptive të Shteteve të Bashkuara. Dy ish-drejtuesit e Magyar Telekom-it paguan 400,000 dollarë gjoba në Shtetet e Bashkuara në prill 2017. Kontaminas nuk u akuzua.

Në atë muaj kur Fidetzis mori kontrollin e Dorelitas, në fillim të 2017-ës, ai nënshkroi marrëveshjen e re lobuese midis McKeon Group dhe kompanisë guackë. Deklarimet e mëvonshme të firmës lobuese në Departamentin e Drejtësisë japin informacion jo shumë të qarta në lidhje me aktivitetin e saj për Dorelitan. Në dhjetor, Grupi McKeon paraqiti një njoftim në Departamentin e Drejtësisë, ku thuhej se kishte ndërprerë përfaqësimin e Dorelitas më 28 mars 2017. Por në të njejtën ditë firma ishte kontraktuar për të punuar për Dorelitan dhe katër ditë më pas nënshkroi kontratën .

Sipas kësaj deklarate të dhjetorit, firma lobuese ndërpreu lidhjet e saj me kompaninë guackë përpara se të kryente ndonjë punë. Por nuk ndodhi kështu. Në prill 2017, Grupi McKeon kontaktoi një mori republikanësh të Kongresit për të organizuar takime për Dorelitan, sipas një dokumenti tjetër të McKeon dërguar në Departamentin e Drejtësisë. Dhe burime të shumta i treguan Mother Jones se disa prej këtyre takimeve lidhen me LSI-në. Një zëdhënës i senatorit Mike Lee (R-Utah), i cili u takua me zyrtarët e LSI-së, thotë se “nuk duket se ka një kërkesë të veçantë” dhe kjo ishte më shumë një takim prezantues”. Dorelita, tha zëdhënësi i Lee, nuk u diskutua . Deklarimet e Lobimit që Grupi McKeon ka paraqitur Kongresi tregojnë se firma vazhdoi të përfaqësonte Dorelitan deri në dhjetor 2017.

Në total, kompania njoftoi se ka fituar të paktën 65.000 dollarë për punën e saj për Dorelitan. Është paguar 15.000 dollarë nga LSI.

LSI mohon çdo lidhje me Dorelitan. Një zëdhënës i partisë tha se kishte “zero kontakte dhe zero dijeni” për këtë kompani. Zëdhënësi vuri në dukje se një anëtar drejtues i partisë, Vangjel Tavo, e kishte lidhur partinë me Fidetzis dhe se më vonë Tavo miratoi pagesën prej 15.000 dollarësh nga LSI tek Grupi McKeon. Doktor dhe anëtar i minoritetit grek të Shqipërisë, Tavo vizitoi Shtetet e Bashkuara në fund të prillit 2017, disa ditë përpara se parlamenti shqiptar të zgjidhte Metën si presidentin e vendit. Ai ishte në Uashington gjatë ditëve kur McKeon planifikoi takime me anëtarët e Kongresit në emër të Dorelitas, çka le të mendohet që ai mund të ketë marrë pjesë në këto takime. Tavo nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

Arben Cici, i cili shërben si drejtor i kabinetit për presidentin Meta, tha në një email se Meta, që nga zgjedhja e tij, nuk ka patur marrëdhënie me lobistët apo “ndonjë forcë politike”. Cici nuk iu përgjigj pyetjeve rreth lidhjeve të Metës me Fidetzis apo Dorelitas. McKeon nuk pranoi të fliste me Mother Jones për punën e firmës së tij për kompaninë guackë. Djali i McKeonit, Hoëard McKeon Jr., i cili punon me babain e tij dhe ka qenë i përfshirë në projektin shqiptar, gjithashtu nuk pranoi të japë komente për këtë çështje. Gruaja e McKeon, Patricia, e cila është e shënuar si një kontakt në dokumentet e paraqitura në Kongres lidhur me Dorelitën, mbylli telefonin kur u kontaktua nga një gazetar.