17 prilli vendos fatin e ministrave, ndryshime në qeveri nëse nuk hapen negociatat me BE, ja plani i kryeministrit

Vendimi i Komisionit Europian më 17 prill do të vendosë fatin e shumë ministrave. KE më 17 prill do të shprehet nëse duhet apo jo të hapen negociatat e Shqipërisë me BE për të nisur rrugën e integrimit. Por nëse vjen një sinjal negativ, atëherë kjo do të sjellë tërmet në qeveri. Gazeta prej disa ditësh e ka paralajmëruar se kryeministri Edi Rama është duke u përgatitur për ndryshime në kabinet dhe mjaft emra do të ikin nëse nuk hapen negociatat. Qeveria do të presë deri më 17 prill dhe nëse nuk ka negociata, do të ketë një rifreskim të qeverisë. Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, kanë deklaruar se vendi ynë i meriton hapjen e negociatave dhe presin rekomandim pozitiv në prill. Nëse ndodh kjo pastaj do të jetë detyrë e Këshillit të Ministrave të BE në qershor të vendosin hapjen e negociatave. Sipas burimeve të gazetës, nëse rekomandohet hapja e negociatave, mund të ketë vetëm lëvizje të vogla në qeveri. Ndërkohë nëse në qershor jepet vendimi final dhe ne nisim bisedimet me Brukselin, atëherë edhe kjo do të sjellë po ashtu lëvizje të shumta. Pra do të ketë dy faza kur priten ndryshime ne qeveri. Faza e parë është pas 17 prillit dhe kjo do ndodhë nëse nuk hapen negociatat. Por nëse në qershor Këshilli i Ministrave të BE pranon hapjen e negociatave edhe kjo do të sjellë ndryshime, pasi qeveria do të nisë reforma rrënjësore me qëllim përgatitjen për anëtarësim në BE. Sido që të jetë, pranvera do të sjellë ndryshime në qeveri, nëse ato nuk ndodhin në prill, në qershor është e sigurt. Në shtator ishte vetë kryeministri që paralajmëroi ministrat. “Ne kemi punuar gjatë gjithë këtyre ditëve për të caktuar objektiva konkretë për çdo ministri, për të kalendarizuar, proceset për arritjen e këtyre objektivave dhe mbi bazën e këtij kalendarizimi ne po hartojmë për herë të parë besoj në historinë e qeverisjes të gjithë këtyre viteve, kontratat e perfomancës për çdo ministër dhe pastaj do të zbresim edhe për çdo zv/ministër dhe për çdo drejtues në sektorë të caktuar”, tha ai.

Hapja e negociatave

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati pak ditë më parë deklaroi se Shqipëria pret rekomandim pozitiv nga Komisioni Europian. “Ka një mbështetje të madhe për veprimet që kanë bërë agjencitë e zbatimit të ligjit në Shqipëri si për sa i përket luftës kundër kanabisit, trafikimit të lëndëve narkotike, betejës kundër krimit të organizuar, vetingut në polici por nga ana tjetër, me të drejtë, ka gjithmonë nevojë për informacion shtesë apo për një kohë për të kuptuar që realisht këto reforma e kanë çuar vendin në pikën e mos kthimit pas. Mendoj se është një qëndrim i ndershëm, i cili ndihmon vendin, në rastin në fjalë Shqipërinë, për të vijuar me procesin e reformave. Nga ana tjetër në çdo vend të BE-së që kam pasur mundësi të vizitoj gjatë kësaj periudhe, nuk kam gjetur ende një alternativë të tavolinës së negociatave, si një mundësi për të influencuar në zhvillime edhe më pozitive, me reforma edhe më të thella edhe në Shqipëri”, tha ai pak ditë më parë. Akoma më i drejtpërdrejtë ka qenë kryeministri Rama. Ai në shumë dalje mediatike ka deklaruar se BE duhet t’i japë Shqipërisë atë që meriton. Sipas tij, vendi ynë i ka plotësuar të gjitha kushtet për negociatat. “E dimë që nuk jemi gati për anëtarësim. Kemi ende probleme me korrupsionin, krimin e organizuar, trafikun e drogës. Por ne po vijojmë të punojmë në këtë drejtim. Shqipëria nuk po kërkon një dhuratë, as një lloj favori që nuk e meritojmë, por kërkojmë thjesht çeljen e negociatave, pasi e meritojmë. Çelja e negociatave me Shqipërinë nuk është krijimi i një problemi të ri potencial, por çelja e një procesi që do ta bëjë Evropën më të fortë, pasi Ballkani ka nevojë dëshpërimisht për Evropën, por edhe Evropa ka nevojë për Ballkanin strategjikisht”, u shpreh Rama pak kohë më parë./ Kliti Topalli