Surprizë në Itali, klubi i njohur piketon dyshen De Biazi-Tramexani për stolin

Dyshja Xhani De Biazi-Paolo Tramexani ishin të spikatur kur drejtonin Shqipërinë, ku siguruan edhe pjesëmarrjen në Europianin e Francës më 2016. Por kohët e fundit sikur kishin humbur paksa, por është një klub që kujtohet për këtë dyshe të suksesshme të pankinave dhe nuk ka humbur kohë, duke u futur në bisedime. Klubi i Peskarës, pas humbjeve radhazi në Itali është larguar nga objektivi që kishte për të arritur në Serinë A që në këtë sezon. Pas shkarkimit të Zdenek Zeman, klubi po mendon të largojë edhe zëvendësuesin e tij, Masimo Epifani, pasi skuadra është shumë larg pritshmërise, duke pasur aktualisht vetëm 2 pikë më shumë se skuadrat që janë në zonën e ftohtë të renditjes.
Sipas mediave italiane, presidenti Daniele Sebastiani ka filluar kontaktet me dyshen Tramexani-De Biazi, të cilët mund të punojnë bashkë në drejtimin e skuadrës si bashkë-trajnerë. Të dy kombinonin mjaft mirë te stoli i Shqipërisë, edhe pse De Biazi këtu ishte trajner i parë, ndaj në Itali kanë bindjen se gjithçka mund të funksionojë në një klub. Gjatë këtyre ditëve do të merret vendimi mbi këtë çështje, pasi dyshja në fjalë kërkon garanci për vazhdimësinë në stolin e skuadrës edhe në planin sportiv, jo thjesht që të mbyllë sezonin aktual në Serinë B dhe në vitin tjetër të ketë përsëri një grup për të luftuar për mesin e tabelës. Në mënyrë të pavarur De Biazi pati një eksperiencë të shkurtër në krye të Alavesh në Spanjë, por pa e përmbushur misionin e tij, ndërsa Tramexani ishte fillimisht me Luganon e më pas me Sionin në Zvicër, por nuk la gjurmë. Ndoshta të dy bashkë te Peskara mund të bëjnë gjëra të mëdha dhe mund ta kthejnë në Serie A këtë skuadër.