Kërcënimi Lavrov, Shqipëria në qendër të ciklonit dhe rruga drejt Vlorës!

Rreth një muaj më parë, Lavrovi, kërcënoi në mënyrë të drejtpërdrejtë, se nëse do të bëheshin përpjekje për të destabilizuar Maqedoninë, Rusia do të ndërhynte ushtarakisht. Po t’i besojmë retorikës së mëparshme po të ministrit të jashtëm rus, destabilizmin do ta shkaktonte Shqipëria veçanërisht me atë që Lavrovi vetë e quante “Platforma e Tiranës”, apo e Edi Ramës.

Kjo platformë, që bashkoi më shumë se kudoherë faktorin shqiptar në Maqedoni dhe instaloi gjuhën shqipe edhe në rrugë zyrtare, duket se ishte dhe shkaku i deklaratës së ashpër, ndoshta më e ashpra në këto dy dekadat e fundit, kur bëhet fjalë për Ballkanin.

Në Tiranë as u komentua dhe as u mor njeri seriozisht, qoftë edhe në komente shtypi, me deklaratën ruse. Kjo ndoshta edhe për shkak të pafuqisë që ka vetë Shqipëria për t’i marrë seriozisht, qoftë kërcënimet, qoftë miklimet e “Ariut rus”. Apo qoftë edhe për shkak të ekzistencës në NATO, çka i bën edhe deklaratat më të ashpra të shihen me indiferentizëm nga shteti shqiptar.

Po a ia vlen praktikisht analiza e një situate, kur edhe komentatorë seriozë po flasin për një “luftë të ftohtë”, që ka një specifikë të ndryshme nga ajo e para rënies së komunizmit në vendet e Lindjes?

Shumica e komentatorëve mbajnë idenë se specifikat janë të lidhura më shumë me diversione, sesa me goditje direkte. Nëse i referohesh ngjarjeve të kohëve të fundit, mund të biesh dakord se diversionet janë vërtet më të rrezikshme sesa ato të “luftës së ftohtë”.
Rasti i agjentit Skripal, helmimin e të cilit Anglia ia atribuon Rusisë, të sjell në mendje kohën e vjetër sovjetike të Andropovit.

Rusët, që bënë një akt të ngjashëm, duke vrarë një agjent të dyfishtë në Londër, u diskredituan nga opinioni botëror aq shumë sa hoqën dorë dhe i ndaluan përfundimisht taktika të tilla. Kjo deri në fundin e epokës sovjetike.

Vetë nuk e besoj se jemi në kushtet e luftës së ftohtë, por periudha në të cilën jemi besoj që është më e rrezikshme se ajo dhe veçanërisht për Shqipërinë. Dhe ky rrezik ekziston, pavarësisht se jemi është nën ombrellën e NATO-s.

Në një pikëpamje të karakterit të përgjithshëm, më shumë sesa taktikën e Luftës së Ftohtë, Rusia e Putinit po ndjek gjeopolitikën e vjetër të carëve rusë të filluar nga Ekaterina e Madhe, vazhduar nga Pjetri i Madh dhe Car Aleksandri, i cili vuri nën këmbë Evropën pas fitores përfundimtare mbi Napoleonin.

Strategjia ruse ishte dhe mbeti arritja e Stambollit apo Cargradit, siç e quanin ata me përkëdheli ish-kryeqytetin e Perandorisë bizantine. Rusët nuk i arrinin dot portat e qytetit për arsyen e Anglisë, që humbte menjëherë kontrollin mbi detet, ku ajo ishte më e fuqishmja në botë. Sapo flota ruse arrinte afër Stambollit, menjëherë dukej përballë flota angleze…

Arritja e qëllimit për në Stamboll nëpër vija tokësore dukej se realizohej drejtpërdrejt nëpërmjet Bullgarisë. Po këtu, ashtu si Anglia në det, Austria e Meternikut përbënte një pengesë të pakapërcyeshme. Ajo ia hoqi nga duart Bullgarinë Rusisë, e paskësaj kjo e fundit kërkoi ta realizonte idenë nëpërmjet dy platformave të tjera tokësore, duke krijuar Serbinë dhe Greqinë e madhe. Austria dhe bashkë me të edhe Italia më vonë krijuan si pikë mbrojtjeje, në favor të interesave të tyre, Shqipërinë.

Kjo lloj analize, që duket si arkaike në kohët e sotme, nuk ka qenë e bërë nga historiografia komuniste. Kjo ndoshta edhe për shkak të marrëdhënieve të ngushta për një kohë të gjatë me Rusinë sovjetike. Historiografia jonë u kufizua të përmendte vetëm mbrojten që i bëri Lenini, i cili denoncoi Traktatin e Londrës që copëtonte Shqipërinë.
Analiza nuk duket arkaike, për mendjen time, po t’i referohesh edhe ngjarjeve të fundit. Putini e aneksoi Krimenë, ku një shekull e ca më parë, në interes të gjeopolitikës së vjetër, u bënë beteja nga më të mëdhatë, të cilat përfshinë brenda tyre aleanca nga më të çuditshmet kundër Rusisë, siç ishte ajo anglo-turko-frënge.

Ngjarjet, jo vetëm me Krimenë e shekullit të 19-të, po përsëriten në mënyrë të ngjashme dhe përsëri në vijat tokësore që kërkonte gjeopolitika e vjetër ruse. Specifika është e ndryshme në një pikë. Nëse atëherë Evropa, e gjendur në duart e Car Aleksandrit dhe pasardhësve, u imponua për të ndërtuar Serbinë dhe Greqinë e madhe, në kurriz të Shqipërisë, tani loja është duke u zhvilluar në drejtim të kundërt. Kosova, Maqedonia, dhe ndoshta më vonë dhe të tjera pjesë të saj, janë duke fituar të drejtat universale të barazisë. Të shpërndarë në 4 apo 5 shtete në Ballkan, shqiptarët janë duke fituar sa një status të preferuar, po aq edhe të rrezikshëm.

Rreziku vjen për dy shkaqe të thjeshta. Diversionit rus, që është bërë i dukshëm, i shtohet dhe dobësia e madhe në ekonomi e Shqipërisë. Të shpërndarë në disa shtete të Ballkanit shqiptarët shihen edhe si pikë eksplozioni. Dhe dobësia ekonomike në këtë rast është një faktor shumë më i madh sesa përpjekja zyrtare e Tiranës, qoftë edhe e sinqertë, për të qenë vërtet përfaqësuese e një politike të qartë të stabilitetit në rajon.

Nisur nga argumentet e mësipërme dhe kërcënimi i Lavrovit, mendoj se politika e Shqipërisë, më shumë se në deklarata apo qëndrime zyrtare, duhet ta pakësojë rrezikun mbi vete, duke bërë më të shëndetshmin nga gjithë variantet, forcimin e ekonomisë.

Po sa mund të materializohet kjo ide në pikëpamje specifike, pra lidhur me temën e artikullit?

Në kohën Luftës së Ftohtë, në kohën e miqësisë shqiparo-ruse, e gjithë vija mbrojtëse e kampit socialist në lidhje me ne, mbështetej në bazën detare të Vlorës. Kjo bazë, apo një nga krenaritë e gjithë kampit socialist, i shërbente strategjisë së Luftës së ftohtë, por sot ajo nuk mund të jetë më e tillë. E megjithatë Vlora mbetet përsëri themeli i Shqipërisë.

Dhe kjo jo vetëm në shërbim të ekonomisë, pra të fuqizimit të Shqipërisë, por dhe shërbimi më i mirë që i bëhet NATO-s, pa qenë nevoja e bazave detare ushtarake si në të kaluarën.
Me një thellësi natyrale më të madhe se Porti i Roterdamit, që është dhe më i madhi në botë, dhe bazën rreth katër herë më të madhe se të tij, Porti i Vlorës mund të bëhej nga më të mëdhenjtë në rajon e më gjerë.

Ai do t’i shërbente jo vetëm Shqipërisë dhe vendeve përreth, por edhe vetë Greqisë së Veriut si edhe një pjese të Turqisë. Heqja e një vije të drejtë nga Vlora në Stamboll, që përkon me Korridorin e 8-të, kap në mesin e saj Maqedoninë, ku është edhe një pjesë e madhe e faktorit shqiptar. Pikërisht këtu do të kryqëzoheshin edhe dy korridoret 8 dhe 10.

Në këtë sens, Vlora ashtu si gazsjellësi TAP, e fuste Shqipërinë në rolin e saj natyral, duke u shndërruar në një pikë stabilitetin e së cilës do ta ruanin jo vetëm shqiparët, por edhe të tjerët në rajon. Është një faktor që do t’i shërbente NATO-s edhe në kohë paqeje, apo lufte po të doni, sepse kjo rrugë e drejtë nga Vlora drejt Stambollit do të mbyllte në rast rreziku gjithë vijat tokësore që aq me qejf i ka gjeopolitika e vjetër.

Thelbi i deklaratës kërcënuese të Lavrovit është i qartë. Po nuk është se është i ri. Dikur, siç e kam cituar shpesh, Bismarku thoshte: Kush ka Maqedoninë, zotëron Ballkanin dhe rrjedhimisht Evropën. Kjo është gjeopolitika e vjetër.

Shqipëria është sa më sipër në syrin e ciklonit. Duke e ripërsëritur. Fakti që ajo është e shpërndarë zyrtarisht në tre shtete, e bën sa të fortë po aq edhe të dobët. Kjo veçanërisht kur ekonomia e saj lëngon dhe të tjerët nuk e kanë shumë të vështirë t’i gjejnë anën për t’i vënë fakën. Rruga më e thjeshtë mbetet forcimi i ekonomisë, e cila fillon me Vlorën. Atje mbaron rreziku dhe fillon qetësia e Shqipërisë.Nga Shpetim Nazarko