Edhe kafeja si duhani, gjykata vendos: Duhen etiketa paralajmëruese pasi…

Një gjykatë në Kaliforni vendosi që shitësit e kafesë, përfshirë Starbucks, duhet të vendosin në ambalazhet e tyre një etiketë paralajmëruese për rrezikun e kancerit, për shkak të një substance që prodhohet gjatë procesit të pjekjes. Gjykata Superiore e Los angelesit argumenton se kompanitë e kafesë nuk ia kanë dalë të provojnë se lënda kancerogjene që prodhohet gjatë pjekjes është e parrezikshme.

Industria e prodhimit të kafesë pretendon se akrilamidi i pranishëm në kafe është në nivele të padëmshme. Sipas tyre, ligji nuk duhet të rëndojë mbi ta, pasi procesi ndodh natyrshëm në procesin e pjekjes së kafesë.

Starbucks dhe kompanitë e tjera kanë afat deri më 10 prill për të apeluar vendimin.

Padia ndaj 90 kompanive që merren me shitjen e kafesë u paraqit në vitin 2010 nga Këshilli për Arsim dhe Hulumtim mbi Substancat Toksike.

Pas këtij vendimi, Shoqata Kombëtare e Kafesë tha se kjo industri po i vlerëson të gjitha opsionet, përfshirë apelimin apo hapa të tjerë ligjorë.

“Është provuar disa herë se kafeja është një pije e shëndetshme. Ligji i ka çorientuar konsumatorët dhe nuk ka bërë asgjë për të përmirësuar shëndetin publik”, thonë përfaqësuesit e kompanive të kafesë.